Bedri Blloshmi

photographed in a side alley in Tirana

Lindur më 2 qershor 1950 në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit, Bedri Blloshmi u arrestua në shkurt të vitit 1976 si pjesëtar i të ashtuquajturit “Grupi i Bërzeshtës”, së bashku me poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, vëllai i tij. Gjyqi filloi më 6 qershor 1977 me akuzat për “krim të sabotimit të ekonomisë kooperativiste në bashkëpunim” dhe “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Të tre u dënuan me vdekje.

Një javë më vonë, më 13 qershor, Gjykata e Librazhdit dënoi dy poetët me pushkatim, ndërsa dënimi i Bedriut u shndërrua në 25 vjet burg, konfiskim të pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet. Bedriu e vuajti pjesën më të madhe të dënimit të tij, 14 vjet, 11 muaj e 26 ditë në Spaç, Qafë-Bari dhe Burrel. U lirua më 29 mars 1991. Pas lirimit, ai punoi si oficer policie dhe jurist, si dhe ka drejtuar për disa muaj (shtator 2013–qershor 2014) Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë.

Deri më sot, Bedri Blloshmi ka botuar mbi 12 libra me dëshmi dhe dokumente arkivore, si dhe mbi qëndresën e ish-të burgosurve politikë në Revoltën e Spaçit, atë të Qafë-Barit, etj.