Portretet e paraqitura këtu, që tregojnë dëshmitarë të diktaturës komuniste të Shqipërisë, u fotografuan në qytete të ndryshme gjatë vitit 2024. Synimi im ishte të zgjeroja këndvështrimin tradicional mbi të burgosurit politikë, duke bërë të dukshme për publikun e gjerë edhe gratë, fëmijët dhe familjet. Anëtarët e familjeve të të burgosurve shpesh internoheshin në zona rurale thjesht përmes vendimeve administrative. Në shumë raste, familjarët nuk dokumentoheshin plotësisht, duke regjistruar vetëm “kryefamiljarin” (kryesisht burrat). Si rezultat, një numër i madh i të prekurve nuk pasqyrohet në statistikat zyrtare.
Pikërisht përfshirja e grave dhe fëmijëve që u internuan në kampet e internimit që në moshë të re, ose që lindën aty, si dhe të rinjve të dënuar me burgime të gjata, tregon se ndikimi i diktaturës komuniste është shumë më i thellë dhe më i përhapur në shoqërinë shqiptare sesa mendohet.
Traumat dhe plagët e shkaktuara nga regjimi nuk janë thjesht relikte të së kaluarës së largët, të mbyllura në një kuti të izoluar. Ato janë fluide dhe vazhdojnë të ndikojnë edhe në të tashmen.
Duke i sjellë këta individë në hapësirën publike dhe duke u dhënë atyre një platformë për të ndarë historitë e tyre, është një formë e rëndësishme e njohjes së vuajtjeve, sakrificave dhe kontributit të tyre. Ndoshta kjo mund të ndihmojë sadopak edhe në shërimin e plagëve të tyre.
Si në shumë projekte të tjera, nuk isha unë që zgjodha këtë temë; përkundrazi, tema më gjeti mua përmes rrugëve të tërthorta. Në punën time fotografike, shpesh trajtoj thyerjet, ndërprerjet në biografi, të shkaktuara nga rrethana politike dhe sisteme autokratike.
Kjo seri portretesh është, në fund të fundit, një projekt shumë personal që lidhet drejtpërdrejt me biografinë time – edhe pse kjo lidhje nuk është menjëherë e dukshme. Dimensioni i fshehur i ekspozitës bëhet i qartë vetëm kur kuptohet lidhja me biografinë time dhe arsyet që më shtynë të interesohem për këtë temë.
Si shpjegohet që unë – një korean i gjeneratës së dytë nga Gjermania – të ndjej nevojën për të kontribuar në kulturën shqiptare të kujtesës? Lidhjet gjenden pjesërisht në biografinë e prindërve të mi, veçanërisht të babait tim.
Në vitin 1967, jeta studentore e babait tim në Gjermani u ndërpre papritur dhe planet e tij për të ardhmen u shkatërruan, kur ai u rrëmbye nga shërbimi sekret koreano-jugor dhe u dërgua në Korenë e Jugut. Siç u zbulua më vonë, shtatëmbëdhjetë koreanë të jugut që u rrëmbyen gjithsej, u akuzuan për spiunazh në shërbim të Koresë së Veriut dhe tradhti të lartë. Fillimisht, ata u dënuan me vdekje, por këto dënime u shndërruan në dënime disa vjeçare me burg, falë presionit ndërkombëtar. Babai im kaloi përfundimisht dy vjet në izolim të plotë, para se të lirohej dhe të kthehej në Gjermani. Ky incident do të njihej më vonë si “Afera e Berlinit Lindor”.
Ndërsa ishte në Gjermani, babai im kishte krijuar kontakte me Ambasadën e Koresë së Veriut në Berlinin Lindor. Pas disa takimesh, iu dha mundësia të udhëtonte në Korenë e Veriut për të vizituar babanë e tij, i cili kishte mbetur i bllokuar atje që nga Lufta e Koresë. Pleksjet dhe ndërlidhjet jetësore të individëve, që shkaktohen nga luftërat dhe shtypjet autokratike, ndikojnë përtej brezave dhe kufijve shtetërorë, siç tregon biografia e prindërve të mi. Për më tepër, edhe biografia ime personale është padyshim e ndikuar nga këto ngjarje – përndryshe, me shumë gjasa, unë do të kisha lindur në Korenë e Jugut, dhe jo në Gjermani.
Kjo është arsyeja përse në punën time si fotograf kërkoj momentin universal që na lidh të gjithëve, duke kapërcyer kufijtë kombëtarë dhe breznitë. Në momentin kur shkrepet një fotografi, ajo bëhet pjesë e së kaluarës, në të cilën mund të udhëtojmë si me një makinë kohe, sa herë e sodisim atë. Kjo është, për mua, magjia më e madhe e fotografisë: aftësia e saj e jashtëzakonshme për të ndalur dhe konservuar kohën.
Kur zhvillova idetë e para për këtë projekt, fillimisht kisha dyshime dhe pyesja veten nëse nuk do të ishte më e logjikshme që një fotograf shqiptar të merrej me këtë temë. Një i huaj që vinte në Shqipëri për të realizuar një projekt me dëshmitarë të kohës m’u duk fillimisht “e papërshtatshme”. Por ndoshta, për të trajtuar tema të tilla, duhet pikërisht një perspektivë e jashtme dhe shumëdimensionale.
Ndjej një respekt dhe admirim të jashtëzakonshëm për dëshmitarët e kohës që janë portretizuar këtu – për jetën e tyre dhe guximin për të mos u dorëzuar dhe për të ecur përpara pavarësisht të gjitha vështirësive.
Këtë punim ia kushtoj atyre dhe gjithë të tjerëve që ende nuk janë portretizuar dhe historitë e të cilëve ende nuk janë dëgjuar.
Dong-Ha Choe