Bedri Çoku

photographed at a public place in Tirana

Lindur më 16 janar 1949, në Muçias, Lushnjë, Bedri Çoku e provoi burgun komunist në moshë të re. Më 27 gusht 1969, teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, Bedriu u arrestua dhe u dënua me 7 vjet heqje lirie për “agjitacion e propagandë”.

Së bashku me dy vëllezërit dhe babanë e tij, ata do të kryenin gati 64 vite në kampet dhe burgjet e diktaturës, ndër të tjera në Burrel, Spaç, Qafë-Bari dhe kampe të tjera të punës të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Në vitin 1973, në Revoltën e të burgosurve në Spaç, Bedriu ishte ndër protagonistët që ngritën flamurin kombëtar pa yllin komunist. Pas revoltës ai u ridënua sërish nga Gjykata e Mirditës me 23 vjet burg shtesë dhe u lirua vetëm në shkurt 1991 pas rënies së regjimit. Bedri Çoku kreu gjithsej 22 vjet, 1 muaj dhe 28 ditë burg.

Pas ndryshimit të sistemit, ai ka mbajtur poste të ndryshme shtetërore, përfshi detyrën e drejtorit të parë të kampeve dhe burgjeve në Shqipërinë demokratike. Ai i ka rrëfyer kujtimet e tij nga koha e burgut në libra dhe artikuj të botuar në shtyp.