photographed in his appartment in Tirana
Lindur më 1946 në Pogradec, Ethem Fezollari bën pjesë në familjet që u arratisën me sukses nga Shqipëria komuniste. Ethemi u internua me familjen kur ishte ende fëmijë, pasi iu arratis i ati, Haki Fezollari. Nga Pogradeci, familja e tij u dërgua në kampin e Kamzës, ku qëndruan nga viti 1949 deri në vitin 1952.
Pas vitesh të gjata dhe sistematike të persekutimit, natën duke u gdhirë 4 korrik 1975, familja e tij mori vendimin: të arratiseshin dhe të jetonin të lirë, ose të vdisnin të gjithë. Ishin gjithsej 16 persona, përfshi edhe 8 fëmijë. Arratisja u realizua përmes një varke primitive të ndërtuar fshehurazi me mushama dhe dërrasa, nga liqeni i Pogradecit drejt Ohrit (sot Maqedonia e Veriut). Ethemi ishte atëherë 29 vjeç dhe baba i një fëmije.
Përtej kufirit, familja u bashkua me të atin pas më shumë se 20 vitesh, i cili jetonte në Australi. Ethemi u kthye në Shqipëri në vitin 1990, menjëherë pas rënies së regjimit komunist dhe sot jeton mes Australisë, SHBA-së dhe Shqipërisë.
Gjatë viteve të tranzicionit ai ka pasur angazhime të ndryshme politike dhe aktualisht drejton Shoqatën Kombëtare të Ish-të Burgosurve Politikë. Varka që shpëtoi familjen e tyre ndodhet e ekspozuar në një muze në Shkup.

