photographed on his property in Durres
Lindur më 5 dhjetor 1947 në Rakicë, Korçë, Gëzim Spaho tentoi të arratisej në fillim të pranverës 1967, në zonën midis dy liqeneve të Prespës, bashkë me një shok të tij. Arsyeja e arratisjes ishte dëshira për një jetë më të mirë. Pas mbajtjes për tre muaj në hetuesi, përmes presionit, ata u detyruan të pranonin se arratisja kishte qenë e planifikuar.
Gjykata e Korçës me vendimin nr. 16, datë 24 maj 1967, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie. Gjysmën e dënimit e kreu në Repartin 315 të adoleshentëve në Gradishtë, Belsh, ndërsa pjesën e mbetur në Repartin 303 në Spaç, ku ishte një ndër dëshmitarët e Revoltës së Spaçit.
Gëzimi u lirua nga kamp-burgu i Spaçit më 3 dhjetor 1974. Pas kryerjes së dënimit me burg, 7 vjet, 7 muaj e 26 ditë, ai u internua në fshatin Shetaj në Ishëm të rrethit të Durrësit. Më vonë u dërgua në Hamallaj, ku u njoh me bashkëshorten e tij, gjithashtu të persekutuar, dhe ku jetuan në një barakë në kushte shumë të vështira jetese.

