Gjetë Kadeli

photographed in his appartment in Mamurras

Lindur më 29 gusht 1942 në Bulshar të Mirditës, Gjetë Kadeli u internua që në fëmijëri në kampin famëkeq të Tepelenës pas arrestimit dhe më pas arratisjes së babait të tij nga burgu. Survejimi dhe përndjekja ndaj tij filloi në vitin 1957, kur ai ishte vetëm 17 vjeç.

Ai u arrestua më 19 prill 1962 dhe u lirua pak muaj më vonë, më 23 nëntor 1962, për hir të një amnistie. Akuza ndaj tij ishte për “armëmbajtje pa leje” dhe për strehimin e të arratisurve. Më 3 gusht 1972 arrestohet sërish, këtë herë për “mbajtjen e një thike”, dhe Gjykata e Rrethit Krujë e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie.

Gjatë kohës që vuante dënimin në kamp-burgun e Spaçit, Gjeta u përfshi në revoltën e të burgosurve, më 21 maj 1973, duke propozuar ngritjen e flamurit pa yll dhe për këtë arsye u arrestua dy ditë më vonë. Me vendimin nr. 39, datë 25 korrik 1973, Gjykata e Rrethit Mirditë e deklaroi fajtor dhe e ridënoi me 15 vite të tjera burg.

Ai u lirua më 7 dhjetor 1987, pasi kishte kryer gjithsej 15 vjet, 11 muaj e 8 ditë burg. Survejimi ndaj Gjetës vijoi edhe pas lirimit nga burgu, deri në janar 1991, me rrëzimin e regjimit komunist. Gjetë Kadeli është një nga dëshmitarët më aktivë të krimeve të diktaturës komuniste në Shqipëri në shkolla, evente publike, filma dokumentarë etj.