photographed in the Museum „Site of Witness and Memory“, Shkodra
Lindur më 19 shkurt 1938 në Gzeq, Mirditë, Gjeto Vocaj dhe familja e tij u përballën me përndjekjen nën regjimin komunist. Familja e nënës së tij ishte internuar në Tepelenë dhe gjyshi i tij ishte pushkatuar nga regjimi. Megjithatë, Gjetoja arriti të përfundonte studimet e larta për matematikë dhe punoi për disa vite si mësues në Dukagjin, Shkodër.
Në nëntor të vitit 1962, një artikull i tij botuar në gazetën Mësuesi me titullin “Njiheni dhe ju Nikën e vogël”, tërhoqi vëmendjen e diktatorit Enver Hoxha. Pas takimit me Hoxhën, biografia familjare e Gjetos, që deri atëherë ishte mbajtur në hije, u vu në shënjestër të Sigurimit. Gjeto Vocaj u arrestua më 15 shtator 1979 me akuzën për agjitacion dhe propagandë, dhe më 27 mars 1980, Gjykata e Shkodrës e shpalli fajtor duke e dënuar me 7 vjet heqje lirie dhe me heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. Ai vuajti dënimin në Spaç dhe Ballsh për 3 vjet, një muaj e një ditë, deri kur u lirua falë një amnistie më 15 nëntor 1982. Gjatë kohës që Gjetoja ishte në burg, familja e tij u internua në fshatin Pistull, kurse atë vetë, një vit pas lirimit nga burgu, e internuan për 5 vjet në fshatin Karmë, pranë Komanit. Deri në rënien e regjimit, Gjeto Vocaj punoi në ndërtim, bujqësi dhe profesione të tjera të rënda.
Ndërroi jetë gjatë përgatitjes së kësaj ekspozite, më 10 janar 2025.

