photographed in a sidestreet in Tirana
Lindur më 15 prill 1929 në Athinë, në një familje intelektuale, Lekë Tasi dhe familja e tij pësuan dënime të panumërta nga regjimi komunist. Fillimisht babai i tij, një politikan i lartë i viteve 1920, u dënua në vitin 1945 me 20 vite burg, të cilat i kreu në burgun e Burrelit. Më pas xhaxhai, një ish-gazetar, u burgos gjithashtu në Burrel, ku edhe vdiq pa iu gjetur kurrë eshtrat. Më vonë edhe vëllai dhe motra e tij Tefta, një nga këngëtaret e para lirike në Shqipëri, u burgosën.
Lekë Tasi kishte studiuar për muzikë dhe gjatë periudhës 1946–1967 punoi si violonçelist në Orkestrën e Radios, Filarmonisë dhe më vonë në Teatrin e Operës. Në kulmin e luftës së klasave u pushua nga puna më 1967 për arsye politike dhe punoi në një fermë deri në vitin 1971. Gjatë kësaj kohe ai filloi të përkthente dhe të pikturonte.
Në tetor të vitit 1975, ai dhe familja e tij u internuan në Grabjan të Lushnjës, ku kaluan 15 vjet. Kalvarin e vuajtjeve personale dhe të familjes së tij, Lekë Tasi e ka përshkruar në librin voluminoz Grabjani rrëzë kodrave (2009). Ai vlerësohet gjithashtu si piktor me një sërë ekspozitash brenda dhe jashtë vendit, si shkrimtar dhe publicist.

