Nevruz Golka

photographed in his house in Korça

Lindur më 25 mars 1945 në Mborje të Korçës, Nevruz Golka përjetoi përballjen me regjimin që në moshë të re. Në vitin 1963, pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike, Nevruzi 18-vjeçar dhe disa shokë të tij planifikuan të arratiseshin nga Shqipëria, por tentativa e tyre u zbulua.

Ai u arrestua më 10 nëntor 1963 sipas neneve 64, 10 dhe 14 të Kodit Penal, dhe iu nënshtrua torturave të rënda. Gjykata e Qarkut Korçë e dënoi me 8 vjet burg në janar 1964, prej nga u lirua në mars 1971. Familja nuk e mbështeti, madje gjatë gjyqit i ati kërkoi që të birin ta dënonin me varje. Gjatë kohës në burg vetëm gjyshja e vizitoi një herë.

Nevruzi u arrestua sërish më 13 shkurt 1973 pas një tentative të dytë të dështuar për arratisje. Ai u dënua me 10 vite të tjera burg dhe e vuajti dënimin në kamp-burgun e Spaçit, në kushte të vështira.

Pas 17 vitesh, 1 muaj e 12 ditë burg, Nevruz Golka u lirua më 15.11.1982, por nuk kishte një shtëpi ku të kthehej. Familja nuk e pranoi nga frika se mund t’i internonin.