photographed at the Historical National Museum in Tirana
Lindur respektivisht më 1980 dhe 1982 në fshatin Gradishtë të Lushnjës, ku jetonte e internuar dhe në kushte të vështira familja e tyre, jeta e Ritvanës dhe Lurianit ishte shenjuar që në fillim si “fëmijë armiku”. Gjyshi dhe të afërmit e tyre ishin përndjekur egërsisht si kundërshtarë të regjimit dhe si nacionalistë, duke u vrarë, burgosur e internuar. Shtëpia e familjes në Lurë të Pukës, e njohur si “Kulla e Bajraktarit”, fisnikët e zonës, ishte djegur dhe rrënuar.
Kjo dramë e familjes ndikoi direkt në jetën e dy fëmijëve, të cilët përjetuan fyerje dhe diskriminim në bankat e shkollës dhe jashtë saj. Motër dhe vëlla jetuan në internim deri në shtator të vitit 1990, kur familja Mena u largua nga Gradishta për në Tiranë me shpresën për të filluar një jetë të re në një epokë të re, duke filluar gjithçka nga zeroja.
Ritvana studioi në Tiranë, ndërsa Luriani ndoqi gjimnazin ushtarak në Turqi dhe më pas u kthye në Shqipëri. Sot Ritvana është mësuese e gjuhës angleze, kurse Luriani punon si instruktor futbolli. Historia e fëmijërisë së tyre në internim e internimit është treguar ndër të tjera në dokumentarin “Fëmijët e Diktaturës”.


