Shkëlqim Abazi

photographed in a cafe near Berat

Lindur më 23 dhjetor 1951 në Berat, Shkëlqim Abazi u arrestua në moshën 16-vjeçare, më 11 gusht 1968, së bashku me një shok, duke bërë plazh në Himarë. Ai u akuzua për tentativë arratisjeje dhe për “agjitacion e propagandë”. Për 3 muaj me radhë, ai u torturua në hetuesitë e Vlorës dhe më pas të Shkodrës, duke aluduar se ishte pjesë e një grupi më të madh armik ndaj regjimit. Nga torturat dhe goditjet iu dëmtuan pjesërisht shikimi dhe dëgjimi.

Më 23 tetor 1968, gjykata e Shkodrës e dënoi me pesë vjet heqje lirie në kamp-burgun e Spaçit, ku u bë dëshmitar okular i Revoltës së Spaçit. Abazi vuajti gjithsej 4 vjet, 11 muaj e 15 ditë në burg. U lirua në vitin 1973.

Pas rënies së komunizmit, Abazi ka shkruar libra ku përshkruan vuajtjet dhe punën e rëndë të detyruar që bënin të burgosurit politikë. Dëshmitë e tij janë publikuar gjerësisht në shtypin e përditshëm shqiptar dhe në disa filma dokumentarë. Gjithashtu, ka botuar dy libra të rëndësishëm mbi vuajtjet e të burgosurve në burgjet e diktaturës:  Repsi: Kampi i Punës së Detyruar (2017) dhe Spaçi: Varri i të Gjallëve (2018).