Shpresa & Fatbardha Merdani

photographed in her appartment in Korça

Lindur më 14 dhjetor 1942 në Korçë, Shpresa (Baholli) Merdani u përball që në moshë të vogël me dhunën e regjimit komunist. Babai i saj, një ish- emigrant në Amerikë që ishte kthyer për të investuar në Shqipëri, u akuzua si “kulak” dhe iu konfiskua pasuria. Në vitin 1947 ai u dënua me vdekje, por më vonë dënimi iu kthye në 15 vite burgim. Nëna e Shpresës, e mbetur vetëm me 6 fëmijë, hasi vështirësi të panumërta për shkak të dënimit të bashkëshortit.

Pavarësisht kësaj, Shpresa u shkollua dhe u bë mësuese, por pas tetë vitesh pune në Podgorie të Korçës e pushuan me motivacionin “se në arsim nuk mund të punonte një vajzë kulaku”. Pas largimit nga arsimi, u dërgua të punonte në bujqësi në Shtyllë të Vithkuqit, ku ishte internuar edhe familja e saj. Gjatë internimit u njoh dhe u martua me Ylber Merdanin, ish-i burgosur politik në burgun e Spaçit.

Por jeta nuk ishte e lehtë as për fëmijët e tyre. Vajza e tyre, Fatbardha, qysh pas lindjes nuk mori kujdesin e duhur mjekësor, si fëmijë i prindërve “të deklasuar”, dhe u përball me një sërë problemesh shëndetësore, që i lanë pasoja të përhershme.

Pas internimit ata u kthyen të jetonin në Korçë, ku iu përkushtuan kauzës për të përndjekurit politikë. Shpresa dhe bashkëshorti i saj, Ylberi, punuan në arsim derisa dolën në pension.