photographed in his appartment in Tirana
Lindur më 15 mars 1934 në Tiranë, Tanush Kaso përfundoi Shkollën Pedagogjike në Tiranë dhe punoi si mësues në fshatrat përreth kryeqytetit, si dhe në Peshkopi. Më 27 maj 1961, ndërsa studionte me korrespondencë në vitin e tretë të Fakultetit të Gjuhë-Letërsisë, ai u arrestua, i akuzuar për pjesëmarrje në një grup kundërshtar të regjimit, i cili synonte të krijonte një parti socialdemokrate. Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi më 11 gusht 1962 me 13 vite burg për “tradhti ndaj atdheut”, “agjitacion e propagandë,” si dhe me konfiskim të pasurisë dhe humbje të të drejtave elektorale për tre vite.
Kaso vuajti dënimin 10 vjet, tre muaj e tre dite në disa burgje famëkeqe, si Burrel, Laç, Fushë-Krujë, Elbasan, Spaç dhe Skrofotinë, derisa u lirua më 30 gusht 1971. Pas lirimit u detyrua të bënte punë të rënda.
Pas viteve ‘90 ai ka qenë aktiv si shkrimtar dhe publicist, duke botuar shumë artikuj dhe disa vepra, përfshirë Lufta ime: Vargje të shkruara në errësirën e kuqe (1994) dhe Kalvari i burgjeve komuniste (1998). Kasoja është angazhuar gjithashtu në veprimtari kushtuar kauzës së ish-të dënuarve politikë, duke shërbyer edhe si kryetar në njërën prej këtyre shoqatave.

