Vera Bekteshi

photographed in a cafe in Tirana

Lindur më 29 prill 1946, Vera Bekteshi bënte pjesë në brezin e parë të fizikanëve bërthamorë në Shqipëri dhe punoi me sukses si pedagoge për gjashtë vjet në Fakultetin e Fizikës. Në vitin 1974, babai i saj, një ushtarak i lartë dhe funksionar komunist nga veriu i Shqipërisë gjatë luftës, u arrestua si pjesë e operacionit të njohur si “Fshesa e Hekurt”.

Pas arrestimit të babait, Vera provoi mbi shpinë represionin e një regjimi, prej të cilit askush nuk ishte i sigurt. Ajo u braktis nga bashkëshorti pas nëntë vitesh martesë, duke mbetur vetëm me djalin e vogël, si dhe humbi vendin e punës. Bashkë me familjen u internua nga Tirana në Berat, ku jetoi në izolim, nën kushte të diskriminimit shoqëror dhe varfërisë ekstreme për gati 16 vjet.

Pas kthimit në Tiranë në vitin 1991, Vera filloi punë në Institutin Hidrometeorologjik dhe mbrojti doktoraturën në vitin 1997, që e kishte lënë përgjysmë për shkak të internimit. Vera është autore e disa librave dhe fituese çmimesh letrare, përfshirë Vila me Dy Porta (2010), Ora me Rërë (2016) dhe Pusulla të Verdha (2022), si dhe artikuj të publikuar në gazetat shqiptare, të cilët fokusohen në përvojat e saj gjatë periudhës së internimit.