photographed in her house in Tirana
E lindur më 31 dhjetor 1941 në Mürling, Austri, nga një nënë austriake, Birgite Xhepa u përball me represionin e regjimit komunist që në moshë të re, kur babai i saj, Qazim Xhepa, një inxhinier i shkolluar në Vjenë, u arrestua dhe u dënua. Ai u akuzua për përfshirje në incidentin e sajuar në oborrin e ambasadës sovjetike (1951) dhe u dënua me pesë vjet burg për tradhti ndaj atdheut. Ndërsa 22 të tjerë të arrestuar për këtë ngjarje u dënuan me masa shumë të rënda, Qazimi u lirua shpejt për mungesë provash.
Kjo ngjarje la pasoja të thella në jetën e familjes shqiptaro-austriake, kësisoj ndikoi edhe Birgiten dhe vëllain e saj, Kurtin. Lidhjet me familjen e nënës në Austri ishin nën kontroll të rreptë; letrat dhe pakot hapeshin dhe lexoheshin, dhe kjo vazhdoi deri në vitin 1990.
Kurti ishte degdisur bashkë me familjen e tij në Përrenjas, ku ndihej i survejuar në çdo hap – në rrugë, në punë dhe kudo. Ndërsa Birgite, e damkosur me një “njollë në biografi” dhe gjithnjë e survejuar nga shteti, komuniteti, Sigurimi, nuk u martua kurrë.
Pas vitit 1990, Birgite zgjodhi përfundimisht Shqipërinë në vend të Austrisë, dhe vazhdoi të jetonte në shtëpinë e prindërve në zemër të Tiranës. Vuajtjet e familjes së saj janë një dëshmi e gjallë e persekutimit dhe politikave represive të regjimit ndaj të huajve.

