photographed in the Museum „Site of Witness and Memory“, Shkodra
Lindur më 8 nëntor 1939 në Tiranë, Fatbardha Mulleti u përball me pasojat e ashpra të regjimit komunist për shkak të lidhjes familjare me Qazim Mulletin, ish-prefekti i Tiranës. Kur ishte 5 vjeçe i arrestuan dhe i dënuan babanë, Haki Mulletin, me grupin e Tiranës, dhe u sekuestruan pasurinë.
Familja e saj u internua në Kavajë, ku Fatbardha kreu shkollën 7-vjeçare në vitin 1952 dhe më pas gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër në vitin 1957. Pasi mbaroi shkollimin, ajo punoi si arsimtare në fshatrat e Lezhës: Kallmet, Manati, Blinisht dhe në Dajç të Zadrimës. Me shumë vullnet dhe sakrifica mundi të kryente studimet e larta, por në vitin 1975 e përjashtuan nga arsimi për shkak të “biografisë së keqe” dhe ngaqë nuk kishte pranuar të bëhej bashkëpunëtore e Sigurimit.
Pas rënies së regjimit komunist, Fatbardha ka pasur një kontribut të jashtëzakonshëm në mbledhjen e dëshmive të grave dhe fëmijëve që u mbijetuan kampeve të internimit. Historitë e tyre të dhimbshme janë botuar në disa vepra, ndër to: Dhimbje (Tiranë: 2008); Kalvari i grave në burgjet e komunizmit (Tiranë: 2013); Përndjekja e Hajrie Mulletit: Stigma e një komedie (Tiranë: 2022) etj.

