photographed in his house near Tirana
Lindur më 27 prill 1951 në Tiranë, Fatos Lubonja u arrestua më 25 korrik 1974, një vit pas dënimit të babait të tij, ish-drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar, si “armik i popullit”. Në momentin e arrestimit, Fatosi ishte 23 vjeç, ende student dhe baba i dy vajzave të vogla. Ai u akuzua për “agjitacion dhe propagandë”, bazuar në shënimet rebele të ditarit të tij, të shkruara në moshën 19 vjeçare.
Fillimisht u dënua me 7 vjet në kampin e Spaçit sepse vazhdimisht refuzonte punën e detyruar në minierë dhe si pasojë, dhunohej egërsisht dhe mbahej për javë e muaj të tërë në birucë. Në vitin 1978, u ridënua me 16 vjet shtesë, së bashku me të burgosur të tjerë, me akuzën e sajuar se ishte “anëtar i një organizate antisocialiste”. Fatos Lubonja u lirua më 17 mars 1991 përmes dekretit të faljes, pas afro 17 vitesh burg në disa nga kampet dhe burgjet më famëkeqe, si Ballshi, Qafë-Bari, Burreli dhe Spaçi. Gjatë burgimit ai shkroi një ditar dhe një roman në letra cigaresh.
Lubonja është ndër intelektualët e paktë që ka kërkuar publikisht një përballje serioze me diktaturën komuniste. Përvojën e tij gjatë regjimit e ka përshkruar në librat Ridënimi (1997), Në vitin e shtatëmbëdhjetë: Ditar Burgu 1990–1991 (1994) dhe Jetë Burgu (2021).

