photographed in their former house in Korça
Lindur më 13 maj 1957 në Korçë, Ivana Topençarov ishte maturante në gjimnazin“Themistokli Germënji” kur babai u arrestua më 8 prill 1976. Një vit më vonë u arrestua dhe u burgos edhe vëllai i saj, Nestori. Këto goditje të forta brenda familjes e ndryshuan tërësisht kursin e jetës së saj.
Ivana, pavarësisht se ishte nxënëse e shkëlqyer, nuk u lejua të studionte, punoi në ndërtim, bonifikim dhe në fabrikën e këpucëve. E mbetur vetëm me nënën në shtëpi, iu desh të kalonte sprova të rënda, ndër to edhe presionin e Sigurimit për ta bërë bashkëpunëtore, që ajo e refuzoi. Edhe pas lirimit nga burgu të babait dhe të vëllait, jeta e saj nuk u bë më e lehtë, pasi i duhej të kujdesej për të atin, i cili kishte mbetur me pasoja të rënda psiko-fizike pas trajtimit çnjerëzor në hetuesi dhe në burg. Në kushtet e persekucionit që shoqëroi rininë e saj, Ivana nuk krijoi dot familje.
Në tetor 1990 ajo u riatdhesua familjarisht në vendin e origjinës së babait, Maqedoninë e Veriut, ku jeton edhe sot.

