Photographed in the Museum „Site of Witness and Memory“, Shkodra
Lindur më 1946 në Tropojë, Leze Ndreaj provoi represionin komunist qysh fëmijë. Pak kohë pas instalimit të regjimit, i ati i saj, Pal Dedë Ndreaj, u shpreh kundër politikës së ndjekur nga komunistët. Për t’iu shmangur arrestimit nga forcat e ndjekjes apo pushkatimit, ai u arratis nga Shqipëria duke lënë pas gruan dhe dy vajza të mitura.
Lezja, një fëmijë i pafajshëm dhe vetëm 2 vjeç, së bashku me motrën dhe nënën u internuan në kampin famëkeq të Tepelenës. Kushtet e vështira të jetës në kamp, vdekjet e panumërta të bashkëmoshatarëve të saj dhe uria e vazhdueshme janë ngulitur thellë në kujtesën e saj. Pas Tepelenës, internimi vazhdoi në kampet e Lushnjës.
Pas gati një dekade ato u kthyen në vendlindje, por nuk u pranuan nga familjarët. Lezja u vendos me banim në Shkodër dhe më 10 mars 1993, Komisioni i krijuar për vërtetimin e kohës së vuajtjes së dënimit administrativ ia njohu kohën e internimit nga Bajram Curri në Tepelenë dhe Lushnjë, prej vitit 1948 deri më 1957.

