Ndrek Bazhdari

photographed in the Museum „Site of Witness and Memory“, Shkodra

Lindur më 1939 në Shkodër, Ndrek Bazhdari ishte një violonçelist i ri premtues përpara se të përjetonte persekutimin politik. Gjithçka nisi pas shpërthimit të Revolucionit Hungarez, më 1956. Ndreka, atëkohë student në Tiranë falë një burse shtetërore, së bashku me disa shokë krijuan një grup me qëllim propagandimin e ideve të Revolucionit Hungarez, duke shpërndarë trakte që i shkruanin vetë.

Në këto trakte ata dërgonin mesazhe se rinia dhe klasa punëtore shqiptare duhej të solidarizoheshin me idetë e Revolucionit Hungarez, pasi kishte ardhur koha që t’i jepej grushti i fundit stalinizmit. Ky aktivitet ra në sy të organeve të diktaturës dhe ai u arrestua më 21 prill 1957, ditën e Pashkës, për veprimtari armiqësore. Ishte vetëm 17 vjeç.

Pas disa muajsh hetuesi të ashpër dhe paraburgim, Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr. 115, datë 6 gusht 1957, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 14 vjet burgim dhe konfiskim të pasurisë. Ai u lirua më 9 mars 1964 duke kryer gjithsej 7 vjet, 4 muaj e 13 ditë burg.