Photographed in their former house in Korça
Lindur më 22 tetor 1953 në Korçë, drama e familjes së Nestor Topençarovit filloi më 8 prill 1976, kur punonjës të Sigurimit të Shtetit dhe të Degës së Punëve të Brendshme arrestuan babain e tij, një topograf i njohur, me origjinë maqedonase (sot Maqedonia e Veriut). Nestori në atë kohë studionte në Institutin Bujqësor në Tiranë. Babain e tij fillimisht e akuzuan për armëmbajtje pa leje dhe më pas si agjent të Jugosllavisë.
Një vit më vonë u arrestua edhe Nestori, të cilit i kërkuan të denonconte babain për veprimtari armiqësore ndaj pushtetit. Pavarësisht presionit, torturave fizike dhe psikologjike, ai nuk pranoi asnjë akuzë. Gjykata e Korçës e dënoi më 15 prill 1977 për “agjitacion e propagandë” me 7 vite burgim, 5 vite heqje lirie dhe heqje të drejtës elektorale. Kërkesa e nënës së tij pranë Gjykatës së Lartë për ulje dënimi nuk u mor parasysh.
Pas burgut të Tiranës, Nestori u transferua në repartin 303 në Spaç. Nestori u lirua më 1982 pas 6 vitesh e 27 ditësh burg dhe u largua nga Shqipëria më 20 tetor 1990 sapo familjes iu dha e drejta për riatdhesim në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, Nestor Topençarov emigroi në Itali, ku jeton edhe sot.
Historinë e persekutimit të tij e ka treguar në dy librat: Drama e jetës dhe Në dekadat e errëta të së kaluarës.

