Tomi Kondakçi

photographed at a public place in Korça

Lindur më 17 tetor 1959 në Korçë, Tomi Kondakçi do të vuante pasojat e ëndrrës së tij për t’u bërë muzikant në një vend perëndimor. Bashkë me disa shokë ai kishte planifikuar arratisjen nga Shqipëria komuniste në itinerarin Korçë-Pogradec-Tushemisht-Ohër- Jugosllavi. Shokët e braktisën në vendin e quajtur Bunkeri i Pogradecit dhe e spiunuan te organet e Sigurimit.

Tomi u arrestua më 1 prill 1980 dhe u mbajt në hetuesinë e Korçës për gati 8 muaj, ku presioni për të pranuar krimin shoqërohej me tortura fizike. Pas përfundimit të hetuesisë, gjyqi u zhvillua me dyer të hapura në ambientet e Gjykatës së Korçës, ku u dënua me 12 vjet burgim për “tradhti ndaj atdheut në formën e arratisjes së mbetur në tentativë”, si dhe për “agjitacion e propagandë”.

Dënimin e vuajti në kamp-burgjet famëkeqe të Spaçit dhe të Qafë-Barit. Pasi u përpoqën, por nuk arritën ta bënin bashkëpunëtor të Sigurimit në ambientet e burgut, e dënuan edhe me dy vite shtesë.

Tomi Kondakçi u lirua më 22 dhjetor 1987 pas 7 vitesh e 8 muaj burg.