photographed in his appartment in Korça
Lindur më 20 nëntor 1934 në Korçë, Vasillaq Orgocka u persekutua sepse u martua me një grua të huaj, polake. Vasillaqi dhe Barbara Gluc u njohën gjatë studimeve të tij për inxhinieri gjeologjike në Varshavë dhe u kthyen në Shqipëri pas martese, ku patën edhe dy fëmijë.
Prej vitit 1961, pas prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, të dy filluan të përndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit dhe në dhjetor 1968 u arrestua fillimisht Vasillaqi për “agjitacion dhe propagandë” dhe më pas Barbara me akuzën e agjenturës së huaj.
Më vonë, situata e Vasillaqit u rëndua nga akuza për bashkëpunim me spiunazhin polak, ku bashkë me të tjerë u dënua me vdekje. Falë dekretit nr. 4530, datë 6 shtator 1969, Presidiumi i Kuvendit Popullor ia uli dënimin në 25 vjet heqje lirie. Ai e vuajti gjithë dënimin në kamp-burgun e Spaçit, 16 vjet, 7 muaj e 23 ditë, dhe u lirua më 31 gusht 1985.
Bashkëshortja e tij, Barbara Orgocka, kaloi tre vite në burgun e grave në Qytet Stalin (Kuçovë). Sipas dëshmisë së Vasillaqit, Barbara gjatë qëndrimit në burg u drogua për të pranuar akuzën për spiunazh. Pas tre viteve burgim, shteti polak ndërhyri për ta kthyer në vendin e saj të lindjes. Ajo u takua me Vasillaqin dhe dy fëmijët e tyre vetëm pas viteve ’90.

