photographed in his appartment in Shkodra
Lindur më 12 prill 1940 në Korçë, Viktor Martini dhe familja e tij u përballën me përndjekje të ashpër pasi regjimi komunist erdhi në pushtet. Babai i tij, Zef Martini, ish-oficer i Mbretit Zog, u dënua pas luftës me 15 vite burg. Të njëjtin fat do të kishin edhe katër djemtë e tij, të cilët së bashku me të atin do të kryenin 104 vite burg politik.
Viktori u arrestua më 17 shtator 1956 në Shkodër, në moshën 16-vjeçare, me akuzën tentativë arratisjeje, dhe dy muaj më vonë, më datë 26 nëntor, u dënua me 7 vjet burg. Ai u lirua më 2 shtator 1961 nga Burgu i Burrelit pas 4 vitesh, 11 muajsh e 16 ditë. Pas lirimit, pavarësisht statusit të tij si invalid, Viktori u detyrua të punonte në kushte shumë të rënda.
Regjimi vazhdoi ta përndiqte edhe pas lirimit, duke ia ndaluar gruas së tij të punonte si mësuese. Viktori ishte gjithashtu një nga organizatorët e protestës së 14 janarit 1990, ku mijëra banorë të Shkodrës u grumbulluan në qendër të qytetit për të rrëzuar bustin e Stalinit.
Në librin e tij „Dëshmoj“ dhe në dhjetëra intervista për shtypin dhe televizionet, Viktori nuk ka reshtur së denoncuari krimet e diktaturës komuniste. Që nga fillimi i viteve ‚90, Viktori dhe bashkëshortja e tij jetojnë në Boston, SHBA.

