Gjergj Livadhi

photographed in the Museum „Site of Witness and Memory“, Shkodra

Lindur më 1952 në Shkodër, Gjergj Livadhi është një ndër të arrestuarit e fundit për motive politike në Shqipëri në janar 1990, pak kohë para rënies së regjimit komunist. Arrestimi i tij ndodhi gjatë një proteste antikomuniste në Shkodër dhe përpjekjes për të rrëzuar bustin e Stalinit, më 14 janar 1990. Është domethënëse që busti i Stalinit në Shkodër ishte i fundit që do të binte në Shqipëri, shumë kohë pas vdekjes së tij në vitin 1953, kur statujat e tij ishin hequr nga vendet e tjera komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe më gjerë.

I akuzuar nga Sigurimi i Shtetit si një nga organizatorët e kësaj proteste dhe i shpallur fajtor për “diversion të mbetur në tentativë dhe agjitacion e propagandë kundër shtetit”, ai u dënua me 8 vjet heqje lirie, më 30 prill 1990. Gjergji kreu vetëm 1 vit, 2 muaj e 13 ditë nga dënimi, duke u liruar më 29 mars 1991 nga Reparti Nr. 305, Përparim.